Kupa e Kosovës në futboll vazhdon sot me dy përballje të rëndësishme në kuadër të fazës së 1/8 së finales, që pritet të sjellin rivalitet dhe emocione për tifozët.
Sfida kryesore e ditës zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku skuadra e Prishtinës pret Ballkanin.
Ky duel, që nis në orën 18:00, konsiderohet derbi i kësaj faze, duke pasur parasysh rivalitetin dhe objektivat e larta të të dyja ekipeve për të siguruar një vend në çerekfinale.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës, me fillim nga ora 13:00, në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, Dukagjini përballet me Prishtinën e Re.
Të dyja skuadrat synojnë të bëjnë hapin e madh drejt fazës tjetër të garës dhe pritet një përballje e luftuar deri në fund.
Programi i 1/8 së finales vazhdon edhe në ditët në vijim. Të enjten do të zhvillohen tri ndeshje të tjera: Gjilani – Liria, Vushtrria – Vëllaznimi dhe Trepça ’89 – Malisheva.
Ndërsa përballja mes Feronikelit ’74 dhe Dinamos është paraparë të luhet të mërkurën e ardhshme, më 18 shkurt.

Kujtojmë se dje u mësuan dy skuadrat e para çerekfinaliste. Llapi siguroi kualifikimin pasi eliminoi Dritën, ndërsa Ferizaj avancoi më tej duke e nxjerrë jashtë garës Drenicën. /AutoPortali



