Shorti për sezonin e ri të Nations League do të hidhet sot (e enjte) në orën 18:00 në Bruksel, ku Kombëtarja e Kosovës do të mësojë kundërshtarët e saj për edicionin e ardhshëm në Ligën B.
“Dardanët” janë pozicionuar në vazon e katërt të Ligës B, së bashku me Suedinë, Maqedoninë e Veriut dhe Irlandën e Veriut. Kjo do të thotë se Kosova do të përballet me nga një kundërshtar nga secila prej tri vazove të para, duke krijuar kështu përbërjen përfundimtare të grupit.
Ekipet janë të ndara në këto vazo:
Vazo 1: Skocia, Hungaria, Polonia, Izraeli
Vazo 2: Zvicra, Bosnja dhe Hercegovina, Austria, Ukraina
Vazo 3: Sllovenia, Gjeorgjia, Republika e Irlandës, Rumania
Vazo 4: Suedia, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut, Kosova
Megjithatë, për shkak të një vendimi të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Kosova nuk mund të shortohet në të njëjtin grup me Bosnjën dhe Hercegovinën.
Si rrjedhojë, nga vazo e dytë, përfaqësuesja jonë mund të përballet vetëm me Zvicrën, Austrinë ose Ukrainën, duke përjashtuar automatikisht Bosnjën.
Ndeshjet e para të fazës së grupeve janë planifikuar të zhvillohen nga 24 deri më 26 shtator 2026, ndërsa raundi i fundit do të luhet nga 15 deri më 17 nëntor 2026.
Formati i garës parashikon që fituesit e secilit grup në Ligën B të sigurojnë promovimin në Ligën A për sezonin pasardhës. Në anën tjetër, kombëtarja që përfundon në vendin e fundit të grupit do të bjerë në Ligën C.
Përveç promovimit dhe rënies direkte, Nations League parashikon edhe ndeshje “play-off” për ngjitje dhe mbijetesë.
Vendet e dyta dhe të treta nga secili grup do të përfshihen në këtë fazë shtesë.
Konkretisht, vendet e dyta nga Liga B do të përballen me vendet e treta nga Liga A për një vend në elitë, ndërsa vendet e treta nga Liga B do të luajnë kundër vendeve të dyta nga Liga C për të siguruar mbijetesën.
Këto përballje do të zhvillohen në mars të vitit 2027, me sistem vajtje-ardhje. Sipas rregullores, skuadrat që vijnë nga liga më e lartë do të kenë përparësinë e zhvillimit të ndeshjes së kthimit në shtëpi.
Pas përfundimit të tyre, do të përcaktohen përfundimisht ekipet që do të luajnë në secilën ligë në edicionin pasues.
Ndërkohë, një ditë pas hedhjes së shortit, UEFA pritet të publikojë edhe kalendarin zyrtar të ndeshjeve, duke përcaktuar datat dhe oraret e sakta të përballjeve të Kosovës në sezonin e ri të Ligës së Kombeve. /AutoPortali



