Manchester City nuk dëshiron të kapet në befasi nga një largim i mundshëm i Pep Guardiola dhe, sipas raportimeve të fundit, ka nisur të projektojë me kujdes të ardhmen në pankinën e “Etihad Stadium”.
Sipas asaj që shkruan Mundo Deportivo, drejtuesit sportivë të “citizens” tashmë e kanë një emër të shënuar me prioritet në listën e tyre: Enzo Maresca.
Trajneri italian konsiderohet si profili ideal për të marrë drejtimin e skuadrës në rast se Guardiola vendos të mbyllë ciklin e tij në Manchester.
Maresca e njeh mirë filozofinë e lojës që ka instaluar Guardiola, si dhe mënyrën e funksionimit të strukturave brenda klubit anglez, çka e bën atë një kandidat serioz dhe të natyrshëm për të garantuar vazhdimësi në projektin sportiv.
Përvoja e tij e mëhershme në ambientin e klubit dhe njohja e kampionatit anglez janë elementë që vlerësohen lart nga drejtuesit e Cityt.
Aktualisht, tekniku italian është pa skuadër, pas një eksperience të vështirë te Chelsea.
Qëndrimi i tij në Londër u karakterizua nga rezultate të paqëndrueshme dhe tensione me drejtuesit e klubit, duke çuar përfundimisht në shkarkimin e tij.
Megjithatë, pavarësisht këtij episodi, emri i Marescas ka vijuar të mbetet në radarët e disa klubeve të Premier League.
Në javët e fundit, ai ishte përfolur edhe si një nga kandidatët për të marrë drejtimin e Tottenham Hotspur, por kjo pistë është mbyllur përfundimisht.
Kjo situatë e lë trajnerin italian të hapur ndaj projekteve të reja, ndërsa një rikthim në Manchester shihet me interes të madh nga rrethi i tij.
Nga ana tjetër, Manchester City synon të shmangë çdo lloj vakuumi drejtues dhe të mos përjetojë situata kaotike si ato që kanë goditur klube të tjera të mëdha angleze pas largimit të trajnerëve historikë.
Plani për pasuesin e Guardiolës duket se është hartuar me kujdes dhe mund të vihet në lëvizje me shpejtësi nëse spanjolli vendos të mbyllë aventurën e tij që këtë verë.
Drejtuesit e klubit e vlerësojnë qasjen taktike të Marescas dhe aftësinë e tij për të ndërtuar skuadra me identitet të qartë loje, duke e parë atë si figurën e duhur për të ruajtur standardet e larta dhe vazhdimësinë e suksesit që pritet të lërë pas Guardiola në “Etihad Stadium”. /AutoPortali



