Oscar Piastri ka komentuar ndryshimin në ekipin e tij të menaxhimit përpara sezonit 2026 në Formula 1, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për asgjë dramatike.
Piloti australian konfirmoi se ka bërë disa riorganizime në strukturën e tij, por Mark Webber mbetet menaxheri i tij. Megjithatë, Webber do të tërhiqet nga prania e vazhdueshme në pistë dhe do të fokusohet më shumë në çështjet komerciale.
Në pistë, Piastri do të shoqërohet nga ish-inxhinieri i tij i garave në Formula 2 me Prema në vitin 2021, Pedro Matos, si dhe nga trajnerja australiane e përgatitjes mendore Emma Murray, e cila do të ketë rol më të madh gjatë fundjavave të garave.
“Nuk kishte asgjë specifike, thjesht vendosëm që gjërat të duken pak më ndryshe”, tha Piastri në Bahrein, duke shtuar se vazhdon të jetë në kontakt të rregullt me Webber dhe se nuk pati ndonjë moment të veçantë në 2025 që e nxiti këtë vendim.

Sa i përket testeve parasezonale në Bahrein dhe atyre private në Barcelonë, ai i përshkroi si një proces mësimi. Sipas tij, mënyra e drejtimit është ndryshe nga viti i kaluar dhe kërkon përshtatje si nga pilotët ashtu edhe nga ekipet.
Piastri theksoi se ka progres në performancë, por se gjithçka mbetet ndryshe nga më parë. Tani skuadrat do të udhëtojnë drejt Melburnit për Çmimin e Madh të Australisë (6–8 mars), garën e tij në shtëpi.



