Katër herë kampioni i Formula 1, Max Verstappen, ka deklaruar se nuk do të garojë kurrë në rally. Edhe pse holandezi është i interesuar të provojë kategori të tjera pas karrierës së tij në F1, ai shpjegoi pse nuk do të ndjekë hapat e babait të tij në këtë disiplinë.
Babai i tij, Jos Verstappen, aktualisht garon në European Rally Championship.
“Është vërtet çmenduri, për të qenë i sinqertë. Ajo që më duket shumë mbresëlënëse është se ai është 53 vjeç, pothuajse 54, dhe garon kundër pilotëve që janë në fund të të 20-ave apo fillim të të 30-ave”, tha piloti i Red Bull Racing në podcastin Up To Speed.
“Në disa kampionate ai madje i mposht. Në rally shumë varet nga shënimet, por kur e bën të njëjtën garë disa herë, hyn pak në memorien muskulore. Me kalimin e viteve bëhesh natyrshëm më i mirë.
“Ai është shumë i zoti dhe e dashuron atë që bën. Është shumë e vështirë ta mundësh. Kur marrim me qira një hapësirë në aeroport dhe vendosin një pistë të improvizuar, më duhet të jap maksimumin për ta mposhtur në një xhiro”.

Megjithatë, Verstappen theksoi se nuk është i gatshëm të marrë rreziqet që përfshin rally.
“Mendoj se është shumë cool, por nëse bëj një gabim dhe përplasem me një pemë, pema nuk lëviz. Për mua, ky është kufiri. Është një rrezik shumë i madh. Ndoshta tingëllon pak budallallëk, por në Formula 1, shumicën e kohës kur përplasesh ka barriera të projektuara për të thithur goditjen. Është ndryshe në mendjen time. Është një rrezik që nuk jam i gatshëm ta marr, edhe pse është shumë bukur ta shohësh”.



