Hamilton i bën tifozët e Ferrarit të ëndërrojnë
H

Hamilton i bën tifozët e Ferrarit të ëndërrojnë

Ferrari siguroi kohën më të shpejtë në testet dimërore të Bahrein, por si Charles Leclerc ashtu edhe drejtori i ekipit Frederic Vasseur bënë thirrje për qetësi brenda skuadrës. Duke parë dhjetë sezonet e fundit parasezonale, Ferrari kishte kryesuar gjatë testimit në vitet 2016, 2017, 2018 dhe 2019, të gjitha sezone të dominuara më pas nga Mercedes.

Është e pamohueshme që Ferrari këtë vit është i kënaqur me besueshmërinë dhe programin e punës të përfunduar. Ekziston një dyshim i bazuar se si motorët e Mercedes ashtu edhe Red Bull e kanë fshehur potencialin e tyre të vërtetë.

Te “kokëkuqja” po i afrohen garës së Australisë me besim, por me një dozë kujdesi.

Në një postim në Instagram, ku ka 42 milionë ndjekës, Lewis Hamilton bëri një vlerësim të ditëve të tij të fundit në pistë: “Testimet kanë mbaruar. Të shohësh një ekip që jep gjithçka për të ndërtuar një makinë është frymëzuese. Për mua, kjo është pjesa më interesante e kësaj pune”.

“Çdo gjë ndërtohet nga e para, projektohet dhe ridizajnohet shumë herë. Dhe vetëm disa prej nesh kanë mundësinë ta testojnë atë makinë. Kjo ndjenjë nuk vjetërohet kurrë. Dua të falënderoj shumë të gjithë në ekipin e fabrikës për punën e tyre të palodhur për të arritur në këtë pikë! Jam vërtet mirënjohës”, shtoi piloti britanik.

Hamilton, më pas i siguroi tifozët për humorin e tij, i cili shpesh binte shumë poshtë vitin e kaluar: “E dua absolutisht këtë punë, më pëlqen të punoj me ekipin tim dhe të ngas për tifozët. Jam jashtëzakonisht me fat që bëj atë që bëj dhe jam i emocionuar për sezonin që vjen”.

“Ndihem i rifreskuar dhe gati për të vazhduar përsëri. Nuk do të shkoj askund, kështu që qëndroni me mua. Për një moment, harrova kush isha, por falë jush dhe mbështetjes suaj, nuk do ta shihni më atë qëndrim. E di çfarë duhet të bëj. Do të jetë një sezon i jashtëzakonshëm. Dhashë gjithçka për të qenë këtu sot”, tha Hamilton.

 

TË FUNDIT