Max Verstappen ka lënë të kuptohet se mund të largohet nga Formula 1 në të ardhmen e afërt, i pakënaqur me rregullat e reja që kanë hyrë në fuqi këtë sezon. Holandezi ka kontratë me Red Bull Racing deri në fund të vitit 2028, me vlerë rreth 70 milionë euro në vit.
Kur t’i përfundojë kontrata, katër herë kampioni i botës do të jetë vetëm 31 vjeç, por e ka bërë të qartë se nuk planifikon të ndjekë shembullin e veteranëve si Fernando Alonso dhe Lewis Hamilton, të cilët garojnë edhe në të dyzetat e tyre.
“Definitivisht e shoh veten duke iu afruar fundit. Do të thosha se rregullat e reja nuk ndihmojnë në zgjatjen e karrierës sime në F1, por kjo nuk është aq e rëndësishme. Jam i kënaqur me rrugëtimin tim, mund ta lë gjithçka pas shumë lehtë, kam projekte të tjera”, tha Verstappen në podkastin “Up To Speed”.
)
Projektet e tjera që përmendi holandezi përfshijnë garën 24 Hours of Nurburgring, ku mund të garojë me ekipin e tij GT3, si dhe 24 Hours of Le Mans, ku pritet të marrë pjesë në të ardhmen.
Verstappen shtoi se do të preferonte të kalonte më shumë kohë me njerëzit e tij më të dashur sesa të ndjekë rekorde të reja në Formula 1. Ai është në lidhje me Kelly Piquet dhe së bashku kanë vajzën Lili.



