Këto kategori përfitojnë udhëtim falas në çdo linjë
K

Këto kategori përfitojnë udhëtim falas në çdo linjë

Nga 1 marsi, kategoritë e liruara nga pagesa në autobusët e “Trafiku Urban” do të lejohen të udhëtojnë falas vetëm përmes Kuletës Digjitale.

Kryeshefi ekzekutiv i Trafikut Urban, Qëndrim Vitija ka bërë të ditur se kategoritë e liruara janë fëmijët deri në moshën 7 vjeç, personat me aftësi të kufizuara, rastet Sociale, veteranët me status “Veteran i Luftës së UÇK-së”, invalidët e luftës së UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve të luftës së UÇK-së, pensionistët e Komunës së Prishtinës, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, Zjarrfikësit, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Prishtinës, stafi shëndetësor, administrativ, teknik dhe mbështetës i të gjitha institucioneve komunale shëndetësore të Kryeqytetit (niveli lokal), stafi mësimor, administrativ, teknik dhe mbështetës i të gjitha institucioneve komunale arsimore të Kryeqytetit, përfshirë institucionet parashkollore (niveli lokal), të gjithë punonjësit e administratës komunale të Prishtinës dhe të gjithë studentët e kryeqytetit, transmeton Klankosova.tv, përcjell AutoPortali.

Në emisionin “Fol me Arin”, Vitija tha se ‘Trafiku Urban’ ka bërë lëshime për moshat nën 7 vjeç, si dhe nxënësit që mund të mos kenë pajisje teknologjike, rrjedhimisht nuk mund ta përdorin Kuletën Digjitale. Megjithatë, ai shtoi se nxënësit duhet të jenë të pajisur me një kartel të veçantë.

Pos tjerash, ai bëri të ditur se lirimi nga pagesa vlen për të gjitha linjat e Prishtinës, përfshirë edhe linjat private.

Sqarime:

-Për të përfituar nga kategoria e liruar, duhet të krijoni llogari në Kuletën Digjitale dhe të ngarkoni dëshmitë e nevojshme (letërnjoftimin, një fotografi dhe vërtetimin/dëshminë nga institucioni relevant).

-Personat mbi moshën 65 vjeç (pensionistët) lirohen me kartë identiteti (letërnjoftim).

-Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Prishtinës lirohen përmes Kuletës Digjitale ose përmes kartelave fizike.

-Rastet sociale lirohen me vërtetim zyrtar nga Qendra për Punë Sociale, i cili konfirmon statusin si përfitues i asistencës sociale. Kjo kategori lirohet përmes Kuletës Digjitale ose përmes kartelave fizike – siç sqarohet në pikën 6.

-Personat me aftësi të kufizuara lirohen me dëshmi zyrtare përkatëse (certifikatë ose vendim nga komisioni kompetent mjekësor apo organi përkatës), që vërteton statusin e personit me aftësi të kufizuara. Kjo kategori lirohet përmes Kuletës Digjitale ose përmes kartelave fizike – siç sqarohet në pikën 6.

-Personat që nuk posedojnë telefon apo pajisje të tjera dhe kanë nevojë për kartelë fizike mund të aplikojnë në linkun: https://kd.pbc.group/ticket dhe brenda afatit prej 7 ditësh do të pajisen me kartelë fizike.

-Kuleta Digjitale dhe kartelat fizike mund të mbushen përmes kartelës bankare direkt në aplikacion ose në pikat e shitjes së biletave të Trafikut Urban, të cilat mund t’i gjeni:

  • Kioska me logo “Trafiku Urban”, pas Objektit të Komunës (tek “Plepat”).
  • Kioska me logo “Trafiku Urban”, në lagjen “Kodra e Diellit”, tek “Banesat e Bardha”.
  • Kioska me logo “Trafiku Urban”, në Bulevardin “Bill Kllinton” (afër nënkalimit).

TË FUNDIT