Ndërron jetë legjenda e Rally-t
N

Ndërron jetë legjenda e Rally-t

Legjenda e rally-t të Lancia, Sandro Munari, ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare. Piloti italian fitoi Kupën FIA për Pilotët e Rally-t në vitin 1977, pararendësen e titullit të sotëm të Kampionatit Botëror të Rally-t (WRC).

I lindur në Cavarzere të Italisë në vitin 1940, Munari, i njohur si “Il Drago” (Dragoi) ishte figura kyçe në ngritjen e Lancia-s në skenën botërore të rally-t gjatë viteve ’70. Ai arriti suksese të mëdha në timonin e modeleve ikonike Fulvia dhe Stratos.

Karrierën në rally e nisi në vitin 1965, ndërsa fitoi Kampionatin Italian të Rally-t në 1967 dhe 1969. Në vitin 1972 triumfoi në Rally Monte Carlo me Lancia Fulvia, ndërsa në 1973 fitoi Kampionatin Evropian të Rally-t. Me modelin Stratos dominoi Rally Monte Carlo duke fituar tre vite radhazi (1975–1977).

Në vitin 1974 i siguroi Lancia-s fitoren e parë në WRC në Rally Sanremo dhe ndihmoi markën italiane të fitonte titullin e parë të konstruktorëve, të cilin e mbrojti edhe në 1975 dhe 1976. Në total, Munari arriti shtatë fitore në WRC, të gjitha me Stratos, ndërsa paraqitjen e fundit në këtë kampionat e bëri në Safari Rally të vitit 1984.

Sandro Munari

Jashtë rally-t, ai fitoi edhe garën e famshme Targa Florio në vitin 1972 me modelin 312 PB të Ferrari, së bashku me bashkëpilot-in Arturo Merzario.

Munari konsiderohet si ylli i parë i madh i rally-t në Itali dhe një nga figurat më ikonike të sportit në epokën e artë të prodhuesve. Pas tërheqjes nga garat, ai mbeti i lidhur ngushtë me sportin, duke marrë pjesë rregullisht në evente historike dhe përvjetorë.

TË FUNDIT