Joan Laporta ka reaguar edhe publikisht ndaj intervistës së fundit të Xavi Hernandezit, të dhënë për mediumin katalunas “La Vanguardia”, përcjell “Gazeta Express”.
Presidenti legjendar i gjigantit katalunas do të jetë në garë për mandatin e ri të presidentit të Barcelonës në zgjedhjet e 15 marsit, ndërsa insiston se ndien keqardhje për akuzat që ia bëri legjenda e klubit dhe i dhemb se si Xavi pranoi të përdorej nga kundërkandidatët që duan ta marrin në dorë klubin “Blaugrana”.
“Kur je president i një klubi duhet të marrësh vendime shumë të vështira dhe mua mu desh ta merrja një vendim të vështirë”, theksoi fillimisht Laporta.
“Me Xavin po vazhdonim të humbnim dhe me Flick nisëm të fitonim. Me të njëjtit futbollistë Xavi humbiste dhe Flick fitonte”, shtoi ai.
Më pas Laporta e vijoi kundërpërgjigjen ndaj legjendës së Barcelonës.
“Më dhemb që e kanë përdorur për të më dëmtuar mua dhe e ka sulmuar një njeri të besuar timin”, shtoi Laporta.
“Më vjen keq sepse Alejandro Echevarría dhe Rafa Yuste kanë qenë ata që e kanë mbrojtur më shumë”, nënvizoi ai.
Më pas kandidati për president të Barcelonës e bëri edhe një paralajmërim.
“Pas të gjithë kësaj, është përdorimi të figurës së Xavit, e kuptoj që është Victor Font që kërkon të shpifë për njerëzit pas kompjuterit, ashtu siç e merr avantazhin se e ka një partner që shpërndan gënjeshtra dhe falsitete. Është një stil që nuk më pëlqen ashtu siç nuk i pëlqen barcelonizmit”, përfundoi Joan Laporta.



