Leclerc “më tolerant” për rregullat e reja
L

Leclerc “më tolerant” për rregullat e reja

Toto Wolff dhe Frederic Vasseur, respektivisht drejtuesit e Mercedes dhe Ferrari, i përshkruan xhirot e para të garës së Australisë si më spektakolaret e 10 viteve të fundit. Merita i takon kryesisht Charles Leclerc, i cili, me një nisje dukshëm më të mirë se makinat përreth tij, mori kryesimin, duke iu përgjigjur sulmeve të George Russell.

Ekipi i Mercedes vendosi më pas të përfitonte nga Makina Virtuale e Sigurisë, e detyruar nga problem teknik i Isack Hadjar, për të bërë një ndalesë në “pit-stop”. Ferrari nuk bëri të njëjtën gjë, dhe kështu Russell në thelb e kaloi Leclerc në pit, duke vrapuar drejt fitores.

I pyetur në lidhje me meritat e rregullave të reja të vitit 2026 dhe taktikat e garës, Charles Leclerc u përgjigj: “Duhet t’u japim rregullave të reja pak kohë para se të arrijmë në ndonjë përfundim. Mendoj se kjo do të ndryshojë mënyrën se si i qasemi garave dhe parakalimeve”.

“Më parë, kishte më shumë rëndësi se kush ishte më i guximshmi në frenim në momentin e fundit. Ndoshta tani ka pak më shumë strategji pas çdo lëvizjeje që bën, sepse sa herë që shtyp butonin e nxitimit, e di që do të paguash pasojat më vonë, kështu që duhet të mendosh me kujdes për çdo lëvizje. Është padyshim një mënyrë e ndryshme për t’iu qasur garave“, tha Leclerc.

TË FUNDIT