Marc Marquez nuk e ka nisur sezonin e MotoGP siç pritej. Piloti i Ducati Lenovo Team mori vetëm 9 pikë në Thai Grand Prix në Buriram. Ai përfundoi i dyti në garën Sprint, por në garën kryesore u detyrua të tërhiqej pas shpimit të gomës së pasme.
Incidenti ishte i fortë, por spanjolli pati fat që nuk u rrëzua. Kështu ai e nis sezonin me 23 pikë më pak se lideri Pedro Acosta.
Marquez pranoi se dëmtimi në krahun e djathtë, i pësuar vitin e kaluar pas kontaktit me Marco Bezzecchi, ende po ndikon në formën e tij. “Pas një dëmtimi nuk e di kurrë ku është 100 për qind. Ndonjëherë humbet vetëm 2 për qind, herë të tjera edhe 15 për qind. Shpresoj të përmirësohem gradualisht në garat e ardhshme”, tha ai.
Megjithatë, ai theksoi se rivalët si Bezzecchi dhe Acosta po tregohen shumë të fortë në fillimin e sezonit.



