Valtteri Bottas po u jep fansave një mundësi unike për ta pyetur për gjithçka, nga koha e tij te Mercedes, sfidat mentale në Formula 1 dhe aventura e re me Cadillac.
Piloti finlandez do të marrë pjesë në një intervistë speciale “You Ask The Questions” gjatë Çmimit të Madh të Kanadasë, ku pyetjet do të vijnë direkt nga fansat dhe abonentët e medias britanike.
Bottas, fitues i 10 garave në Formula 1, mbetet një nga figurat më të dashura në paddock falë karakterit të tij të veçantë dhe sinqeritetit jashtë piste. Kohët e fundit ai ka tërhequr vëmendje të madhe pasi foli hapur për problemet me shëndetin mendor dhe çrregullimet ushqimore gjatë viteve të para në F1.
Në intervistën e ardhshme, fansat mund ta pyesin për rivalitetin me Lewis Hamilton te Mercedes, presionin e madh në Formula 1, jetën jashtë garave apo edhe për stilin e tij unik që e ka kthyer në një ikonë të rrjeteve sociale.
Piloti 36-vjeçar aktualisht është pjesë e projektit Cadillac në Formula 1 dhe po synon një rikthim të madh në elitën e motorsportit. Ai ka deklaruar më herët se ende nuk e konsideron të mbyllur kapitullin e tij në F1 dhe beson se përvoja e tij mund ta ndihmojë të rikthehet në majë.

Fansat do të kenë kohë deri më 17 maj për të dërguar pyetjet e tyre, ndërsa intervista pritet të sjellë deklarata interesante nga një prej pilotëve më karizmatikë të dekadës së fundit në Formula 1.



