Rrjetet sociale na kanë dhënë fuqinë të gjykojmë brenda sekondash. Mjafton një fotografi dhe një klikim që dikush të “kryqëzohet” publikisht. Pikërisht kjo ndodhi së fundmi me një pronar të një Lamborghini Huracan EVO me vlerë rreth 250 mijë euro, i cili u fotografua i parkuar në një vend të rezervuar për persona me aftësi të kufizuara në qytetin anglez Torquay.
Fotografia u përhap me shpejtësi në internet dhe reagimet ishin të ashpra. Shumë përdorues e akuzuan pronarin për arrogancë dhe mosrespektim të rregullave, duke kërkuar madje edhe gjoba të rënda apo konfiskim të veturës. Në komentet e shumta, askush nuk u ndal të mendonte se ndoshta ekzistonte një arsye e vlefshme.
Më pas erdhi kthesa që ndryshoi gjithçka. Pronari i Lamborghini-t publikoi një tjetër fotografi, ku shihej qartë karta e vlefshme e parkimit për persona me aftësi të kufizuara e vendosur në xhamin e përparmë të veturës. Ai postoi edhe një foto pranë makinës me mbishkrimin: “Ja një fotografi për të gjithë fansat e mi”.
)
Ngjarja u bë shembull i mënyrës se si rrjetet sociale shpesh nxitojnë të gjykojnë pa ditur të gjithë historinë. Në dëshirën për “drejtësi të menjëhershme”, shumë njerëz harrojnë të ndalen dhe të shohin tablonë e plotë para se të sulmojnë dikë publikisht.



