Charles Leclerc do të jetë pilot i Ferrarit edhe për shumë vite të tjera. Lajmi është bërë i ditur nga skuadra italiane, që ka komunikuar zyrtarisht rinovimin shumëvjeçar të kontratës me pilotin francez.
“Ferrari njofton rinovimin me Charles Leclerc, i cili do të vazhdojë të veshë ngjyrat e skuadrës sonë në sezonet e ardhshme të kampionatit botëror të Formula 1”, shkruhet në komunikatën e Ferrarit.
Lidhja mes Leclerc dhe Ferrarit ka filluar përpara debutimit të tij në Formula 1. Ai ka qenë pjesë e Ferrari Driver Academy në 2016-ën dhe kjo skuderi ka qenë gjithmonë në qendër të karrierës së pilotit francez: nga fitimi i titullit të Formula 2 në 2017-ën te debutimi në Formula 1 vitin pasardhës. Që atëherë Charles ka qenë një figurë qendrore te kjo skuadër.
“Nuk mund të isha më i lumtur nga vazhdimi i këtij rrugëtimi me skuadrën Ferrari. Për mua ka qenë gjithmonë më shumë se thjesht një skuadër. Është skuadra që kam dashur dhe kam ëndërruar që fëmijë. Pas gjithë këtyre viteve është bërë si një familje e dytë”, ka thënë Leclerc pas rinovimit.

“Jam mirënjohës që do të vazhdojmë të luftojmë përkrah për objektivin e përbashkët: të rikthejmë titullin botëror në Maranello. Të jem një pilot i Ferrari-t është një ëndërr, por edhe një përgjegjësi. Do të jap gjithçka për ta çuar këtë skuadër aty ku e meriton”.



