Charles Leclerc humbi mundësinë për një rezultat të mirë në garën e tij vendase në Monako për shkak të problemeve me frenat. Këto vështirësi e kanë shoqëruar pilotin e Ferrarit gjatë gjithë sezonit, përfshirë edhe garën në Montreal.
Pas garës në Monako, Leclerc deklaroi se tri nga katër frenat e makinës së tij nuk po funksiononin siç duhet, duke shkaktuar një debat me kompaninë Brembo, furnizuesin tradicional të frenave të Ferrarit. Brembo reagoi duke kundërshtuar kritikat e pilotit monegask.
Në Kanada, kushtet e pistës, asfalti me konsum të ulët, temperaturat më të ftohta dhe mungesa e kthesave të shpejta, e përkeqësuan situatën për Leclerc. Ndërkohë, Lewis Hamilton deklaroi se ndihej shumë më rehat me makinën e tij.
Leclerc zbuloi se Ferrari ka përgatitur një zgjidhje të re, e cila do të testohej në Barcelonë. Ai konfirmoi gjithashtu se Hamilton ka përdorur një konfigurim tjetër frenash në tri garat e fundit dhe se ai vetë pritet ta provojë të njëjtën zgjidhje.
Sipas raportimeve, Hamilton përdor një kombinim të dy prodhuesve: kaliperët e frenave nga Brembo, ndërsa disqet e frenave nga kompania franceze Carbon Industrie, me të cilën ai kishte bashkëpunuar edhe gjatë kohës së tij te Mercedesi.

Kjo ishte një nga kërkesat kryesore të Hamiltonit ndaj Ferrarit gjatë dimrit. Disqet franceze u testuan fillimisht në Bahrein dhe më pas Ferrari i lejoi t’i përdorte nga Çmimi i Madh i Japonisë e tutje.
Tani pritet që edhe Leclerc ta testojë të njëjtin konfigurim gjatë provave të lira në Barcelonë për të parë nëse kjo do t’i zgjidhë problemet me frenimin.



