Edhe sivjet gara në Kullë u karakterizua me organizim të shkëlqyeshëm të Auto Klubit Visari-Peja, në bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Pejës dhe Federatën e Auto Sportit të Kosovës (FASK).
E vetmja vërejtje për këtë garë ishte numri jo i kënaqshëm i pjesëmarrësve, ndërsa gjithçka tjetër pati rrjedhë të shkëlqyeshme.
“Kulla 2026” ishte e rëndësisë së dyfishtë, pasi përveç për Kampionatin e Kosovës poentohet edhe për FIA CEZ.
Garuesi nga Shqipëria, Gentian Shaqiri me Tatuus ishte fitues i garës për FIA CEZ. Ai ishte fantastik sidomos në vozitjen e parë, në të cilën shtegun me gjatësi prej 5.6 kilometra e kaloi për 03:08.285 minuta, ndërsa në të dytën duke mos pasur nevojë të rrezikojë, në cak arriti për 03:14.544 minuta.
Në kampionatin vendor më i shpejti ishte Bardhyl Canolli i Eurogoma Racing Team, me Radicall SR8, i cili në cak arriti për 03:16.503 dhe 03:13.890 minuta.
Canolli ishte i vetmi e rrjedhimisht i pari edhe në plasmanin e përgjithshëm për makinat njëvendëshe për Kampionatin e Kosovës.
Ndërsa, në tri pozitat e para të plasmanin të përgjithshëm për vetura, për Kampionatin e Kosovës, u renditën Gazmend Demolli i Prishtina Racing Team, me Mitsubishi EVO 9, Kushtrim Bytyqi i AK Ferizajt, me Renault Clio dhe Belkim Fazliu i Prizreni D&G, me Renault Megane RS3.
Kushtrim Bytyqi paraqitjen e tij të shkëlqyeshme e kurorëzoi edhe me rekord të shtegut në Klasën 4 me kohë 03:27.374 minuta.
Rekord të shtegut vendosi edhe Fatos Krasniqi në Klasën 2, i cili me Honda Civic në cak arriti për 03:36.345 minuta.

Në renditjen ekipore, AK Prizreni D&G u rendit në pozitën e parë me 55 pikë, pasuar nga Prishtina Racing Team me 20, AK Ferizaj (20), DTM (15), Eurogoma Racing Team (10) dhe AK Drenica me 10 pikë.
Rezultatet komplete të garës mund t’i shihni në linkun e mëposhtëm:
https://kstiming.com/



