Pritja merr fund, Hamilton korr fitoren e parë me Ferrarin
P

Pritja merr fund, Hamilton korr fitoren e parë me Ferrarin

Pas gati dy vitesh pritjeje dhe në sezonin e tij të dytë me Ferrarin, piloti britanik Lewis Hamilton rikthehet te fitorja në Formula 1 (fitorja e fundit ishte në Belgjikë 2024). Piloti 7 herë kampion bote në Formula 1 triumfoi të dielën në garën e Çmimit të Madh të Spanjës, zhvilluar në Barcelonë.

Një festë e madhe për Hamilton por edhe për Ferrarin, që gjithashtu nuk fitonte një garë që nga viti 2024 (Sainz, në Meksikë), ndaj kjo mbetet një ditë festime për “kokëkuqen”.

Në vendin e dytë u rendit George Russell me Mercedes dhe në të tretin Lando Norris me McLaren.

Një strategji fantastike i dha fitoren makinës Ferrari, që bëri tri ndalesa dhe që çorientoi rivalët, duke nxjerrë Hamilton në krye edhe me pak fat. Ndalesa e tretë u krye nën regjimin e makinës virtuale të sigurisë, por makina italiane ishte e pakapshme nga rivalët.

Një garë për t’u harruar kjo për pilotin italian Kimi Antonelli me Mercedes. Kryesuesi i Botërorit u detyrua të tërhiqej 5 xhiro nga fundi, pikërisht në momentin që parakaloi Russell dhe ishte i dyti. Po në atë xhiro u tërhoq edhe Charles Leclerc me Ferrari (të dy paten probleme me makinën).

Falë këtij triumfi, Hamilton ngushton në 41 pikë diferencën me italianin, ndërkohë që për Antonelli kjo ishte ndalesa e parë pas 5 fitoresh radhazi.

16x9%20single%20image%20-%202026-06-14T162457.029.png

Në vendin e katërt u klasifikua Max Verstappen me Red Bull e pas tij deri në “top-10”, u klasifikuan Piastri, Hadjar, Gasly, Colapinto, Lawson e Lindbald.

Për t’u veçuar fakti se të tri vendet e para u arritën nga tre britanikë, diçka që nuk ka ndodhur që nga viti 1968.

TË FUNDIT