Piloti spanjoll i MotoGP, Alex Marquez, pritet të rikthehet në pistë vetëm një muaj pas aksidentit të rëndë që pësoi në Çmimin e Madh të Katalonjës.
Piloti i Gresini Ducati iu nënshtrua të martën një kontrolli vendimtar mjekësor, i cili do të përcaktojë nëse do të marrë pjesë këtë fundjavë në Çmimin e Madh të Çekisë në Brno.
Marquez pësoi ndoshta aksidentin më të rëndë të karrierës së tij kur, me shpejtësi të lartë, u përplas me motorin e Pedro Acosta në drejtëzën e fundit të pistës së Montmeló. Fatmirësisht, gjithçka përfundoi me thyerje të një vertebre dhe të klavikulës së majtë.
Për shkak të lëndimeve dhe ndërhyrjeve kirurgjikale që pasuan, spanjolli u detyrua të qëndronte disa javë larg garave, duke humbur Çmimin e Madh të Italisë në Mugello dhe atë të Hungarisë në Balaton Park.
Megjithatë, vetëm një muaj pas aksidentit, 29-vjeçari është gati të rikthehet. Ai ka marrë dritën jeshile nga ekipi mjekësor për të udhëtuar drejt Brnos, ku do t’i nënshtrohet një tjetër kontrolli nga drejtori mjekësor i MotoGP, Angel Charte. Vendimi përfundimtar për pjesëmarrjen e tij do të merret të enjten në qendrën mjekësore të pistës.

“Në bazë të kontrolleve të fundit mjekësore në Spanjë, Alex Marquez do të udhëtojë këtë fundjavë në Republikën Çeke me synimin për të marrë lejen mjekësore për garim. Më shumë informacion do të bëhet i ditur të enjten nga pista e Brnos”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Pas tetë garave të zhvilluara këtë sezon, Alex Marquez renditet i nënti në kampionatin botëror me 67 pikë. Kryeson Marco Bezzecchi me 180 pikë, i ndjekur nga Jorge Martin me 160 dhe Fabio Di Giannantonio me 138 pikë.



