Joan Mir, kampioni i botës në vitin 2020, e ka cilësuar si “lëvizje të zgjuar” vendimin e Hondas për t’i lejuar atij dhe pilotit tjetër që po largohet, Luca Marini, të testojnë motorin dhe gomat e sezonit 2027 në Brno.
Honda ka vendosur që përvoja e pilotëve aktualë të fabrikës është më e vlefshme sesa rreziku që ata të marrin avantazh përpara kalimit te ekipet rivale sezonin e ardhshëm.
Mir tha se ka kuptim që ata të japin feedback, pasi kanë punuar për vite me zhvillimin e motorit aktual dhe mund të ndihmojnë edhe në përmirësimin e prototipit të ri.
Ai theksoi gjithashtu se është shumë e rëndësishme që pilotët të kontribuojnë në zhvillimin e gomave të reja Pirelli, duke shtuar se sa më shumë informacion të mblidhet, aq më mirë do të përgatiten gomat për vitin e ardhshëm.
I pyetur nëse pilotët që nuk marrin pjesë në teste mund të jenë në disavantazh për sezonin e ardhshëm, Mir u shpreh se adaptimi sot është shumë i shpejtë dhe se avantazhi është më shumë për zhvilluesit e gomave sesa për pilotët.



