Valon Rexhepi hyn në mesin e garuesve që nuk heziton të shtypë pedalen e gazit dhe të rrezikojë deri në limite, me synimin për të arritur rezultate sa më të mira.
Këtë trajtim do ta ketë edhe vetura e tij e radhës, Opel Astra, me të cilën Valoni do të paraqitet në këtë fundjavë në garën në Brezovicë.
“Nga kjo garë do të jem me veturë tjetër. Bëhet fjalë për Opel Astra OPC 2.0 turbo. Vetura i ka mbi 400 hp dhe ndërrues të shpejtësive bacci sekuencial”, ka treguar Rexhepi.
Gjithsesi, ai shprehet shumë i matur para garës së fundjavës. “Është vetëm gara e parë me këtë veturë. Pra, në Brezovicë do të jetë një lloj testi më serioz. Kjo nuk do të thotë që unë nuk do të përpiqem të kem rezultat të mirë, por sigurisht do të jem shumë i kujdeshëm”, ka theksuar anëtari i Eurogoma Racing Team.

Ai planfikon që veç garave vendore të sfidojë veten edhe në rrafshin ndërkombëtar.
“Besoj që do të marr pjesë në Buzet. Dihet që është garë shumë atraktive, me konkurrencë të fortë dhe numër të madh të pjesëmarrësve, prandaj dëshiroj të sfidoj veten në një garë të tillë”.
Në fund, Valoni falënderon Exfis-in, Eurogomën dhe Bardhyl Canollin për mbështetjen që i kanë ofruar.



