Dacia po përgatit gjeneratën e re të modelit elektrik Spring, me një çmim fillestar nën 18.000 euro. Për ta arritur këtë, kompania nuk ka ulur kapacitetin e baterisë, por ka hequr pajisjet dhe elementet që i konsideron të panevojshme për përdorimin e përditshëm.
Modeli i ri bazohet në Renault Twingo Electric dhe do të prodhohet në Slloveni, duke shmangur tarifat shtesë për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë.
Spring pritet të pajiset me një motor elektrik 82 kuaj fuqi, bateri 27,5 kWh dhe autonomi deri në 263 kilometra. Për të mbajtur çmimin sa më të ulët, makina do të ketë një kabinë më të thjeshtë, me më pak pajisje multimediale dhe materiale bazike, duke u fokusuar te funksionaliteti dhe transporti me kosto të ulët.



