Historia e pabesueshme e një makine të harruar franceze ka pasur një fund spektakolar dhe tronditës nga ana financiare! Renault 5 i vitit 1982, i cili në fillim të këtij viti u zbulua në një garazh të vjetër ku kishte qëndruar për plot 44 vjet, është shitur në ankand për një shumë astronomike që ka habitur edhe koleksionistët më të mëdhenj.
Edhe pse nuk bëhet fjalë për versionin sportiv Alpine apo modelin kult Renault 5 Turbo, por për një hatchback të zakonshëm urban, blerësit u entuziazmuan. Makina arriti në ankand çmimin marramendës prej 53.711 eurosh!
Historia e kësaj makine duket si një skenar hollivudian. Në fund të vitit 1982, një franceze bleu në një sallon një Renault 5 TL krejt të ri për 40.000 franga franceze, rreth 6.500 euro me vlerën e sotme. Problemi ishte se në momentin e blerjes ajo nuk kishte patentë shoferi.
)
Edhe pse më vonë arriti ta merrte patentën, frika dhe pasiguria pas timonit mbizotëruan. Në fund të tetorit 1982, makina u parkua në një garazh të vjetër, ku qëndroi në një lloj “hibernimi” për plot 43 vjet, e harruar plotësisht deri në zbulimin e saj të fundit.
Kur u gjet në stallë, koleksionistët mbetën pa fjalë. Automjeti ishte ruajtur në gjendje origjinale fabrike, me vetëm 12 kilometra në kilometrazh!
Makina ka një motor benzine me vëllim 1.108 kubikë, të kombinuar me një kambio manuale me katër marshe. Një tjetër veçori është ngjyra e rrallë metalike “Bleu Schiste”, një nuancë diskrete blu që sot rrallë shihet.
Makina kishte dalë nga salloni me targa të përkohshme, ndërsa targat e përhershme, çuditërisht, kishin qëndruar gjatë gjithë kohës në bagazh.

Pas zbulimit, Renault 5 iu nënshtrua një pastrimi dhe konservimi të plotë, për t’u përgatitur për ankand. Në fund, ai u shit për 53.711 euro!
Një gjë është e sigurt: zbulime të tilla nuk tregojnë vetëm historinë e automobilizmit, por dëshmojnë edhe se si një makinë e zakonshme urbane mund të shndërrohet në një objekt historik me vlerë të jashtëzakonshme.



