Hyundai prezanton Tucson e ri, më i madh dhe më i fuqishëm se kurrë
H

Hyundai prezanton Tucson e ri, më i madh dhe më i fuqishëm se kurrë

Hyundai ka prezantuar zyrtarisht në Korenë e Jugut gjeneratën e re të Tucson, e cila fillimisht do të dalë në tregun vendas dhe më pas do të mbërrijë në Evropë dhe pjesën tjetër të botës.

Gjenerata e pestë e SUV-it vjen me përmasa dukshëm më të mëdha dhe dizajn më robust. Gjatësia totale është 4.700 mm, plot 18 centimetra më shumë se modeli i mëparshëm. Distanca ndërmjet akseve është rritur me rreth 10 cm, në 2.785 mm, ndërsa gjerësia është rritur me 4 cm.

Dizajni i ri bazohet në gjuhën stilistike të Hyundai-t, “Art of Steel”, me linja të mprehta, siluetë më të drejtë dhe pamje më agresive.

Në pjesën e përparme dhe të pasme spikat ndriçimi në formë të shkronjës “H”, ndërsa parafangot janë zgjeruar dhe janë shtuar elemente mbrojtëse për t’i dhënë makinës një pamje më të fuqishme.

Me rritjen e përmasave, Tucson kalon nga segmenti C në segmentin D, duke synuar rivalë më të mëdhenj nga Toyota, Skoda, Renault dhe Honda.

Kabinë minimaliste

Brendësia është ridizajnuar tërësisht, me një stil minimalist të frymëzuar nga Ioniq 3. Në qendër ndodhet një ekran i madh me prekje, ndërsa përpara shoferit është vendosur një ekran i hollë dixhital.

Hyundai ende nuk ka zbuluar detajet e motorëve, por pritet të ketë versione me benzinë, mild-hybrid, hybrid (HEV) dhe plug-in hybrid (PHEV).

TË FUNDIT