Vasseur flet për (mos)efektin e rivalitetit mes Hamilton e Leclerc
V

Vasseur flet për (mos)efektin e rivalitetit mes Hamilton e Leclerc

Sipas drejtorit sportiv të Ferrari, Frederic Vasseur, beteja e barabartë mes dy pilotëve të tij, Lewis Hamilton e Charles Leclerc, mund të jetë një nxitje për ekipin, për sa kohë që Ferrari mbetet ende në garë për vendin e pare në të dyja kampionatet, atë për pilotë dhe atë për konstruktorë.

Deri më tani, dy pilotët kanë krijuar një betejë të brendshme shumë më të barabartë në Ferrari sesa mund të kishte imagjinuar dikush në prag të sezonit. Falë ndryshimit të rregulloreve, Hamilton është treguar më konkurrues, ndërsa Leclerc ka pasur disa vështirësi, por konkurrenca duket e barabartë.

31 pikë i ndajnë ata në renditje dhe me rikthimin e kampionatit pas pushimeve, francezi theksoi se si konkurrenca e brendshme mund të jetë një nxitës kyç për përmirësimin e performancës. “Një pjesë e performancës vjen gjithmonë nga krahasimi i pilotëve,” shpjegoi Vasseur.

“Ndodh këtu, por si te McLaren dhe Mercedes, më pak te Red Bull për arsye të tjera. Rivaliteti duhet të mbetet gjithmonë brenda kufijve të respektit të ndërsjellë dhe interesave të skuadrës. Ata duhet ta respektojnë ekipin, ashtu siç i respektojmë ne. Ata duhet të sillen saktë“, tha Vasseur.

“I shoh duke bashkëpunuar dhe duke e shtyrë njëri-tjetrin për të arritur një performancë më të mirë. Ata gjithashtu po bëjnë përparim sepse po japin 110% në çdo xhiro. Edhe në provat e lira, gjëja më e rëndësishme për ta është të jenë përpara shokut të skuadrës”, përfundoi Vasseur.

TË FUNDIT