Dokumentari i ri për Michael Schumacher: Filmi zbulon shumë sekrete
D

Dokumentari i ri për Michael Schumacher: Filmi zbulon shumë sekrete

Pesë vjet pas dokumentarit të parë për Michael Schumacher, Netflix ka njoftuar një film të ri kushtuar shtatë herë kampionit të Formula 1. Filmi, me titull “Schumacher ’94 – Lindja e një legjende”, do të ketë premierën botërore më 2 tetor dhe do të fokusohet tërësisht në vitin e trazuar, kontrovers dhe tragjik 1994, kur lindi e famshmja “Schumimania”.

Ndryshe nga dokumentari i vitit 2021, i cili përfshinte të gjithë karrierën e tij deri te aksidenti në ski, filmi i ri fokusohet vetëm te viti 1994, kur Schumacher, atëherë 25-vjeçar, me Benettonin fitoi titullin e parë botëror.

Një sezon me tragjedi, akuza dhe triumf historik

Në vitin 1994 ndodhi tragjedia në Imola, ku humbën jetën legjendari Ayrton Senna dhe Roland Ratzenberger, duke ndryshuar përgjithmonë Formula 1.

Sezoni u shoqërua gjithashtu me skandale, penalizime dhe akuza për manipulime mekanike e teknike në makinën e Benettonit. Kampioni u vendos në garën e fundit në Australi, ku Schumacher u përplas me rivalin kryesor Damon Hill dhe fitoi titullin me vetëm një pikë avantazh.

Regjisorja Christine Freitag sjell pamje të papublikuara dhe materiale nga pistat, por edhe një histori emocionale për njeriun pas timonit. Në dokumentar flet sërish bashkëshortja e Schumacherit, Corinna, e cila rrëfen për fillimet e lidhjes së tyre dhe jep detaje të rralla për jetën private.

Në film dëshmojnë edhe figura të rëndësishme të Formula 1 të asaj kohe, si Bernie Ecclestone, Flavio Briatore, Willi Weber, David Coulthard dhe të tjerë.

Netflix thotë se ata e përshkruajnë Schumacherin si një luftëtar të pamëshirshëm në pistë, por njëkohësisht si një njeri shumë të ndjeshëm dhe empatik jashtë saj.

Schumacher ka fituar gjithsej shtatë tituj të Formula 1, rekord që e ndan me Lewis Hamilton. Që nga aksidenti i rëndë në ski më 29 dhjetor 2013, ku pësoi dëmtime të rënda në kokë, ai nuk është shfaqur publikisht.

TË FUNDIT