Quartararo: Jam si një qen që nuk ka ngrënë prej tri ditësh
Q

Quartararo: Jam si një qen që nuk ka ngrënë prej tri ditësh

Fabio Quartararo po përgatitet për një kapitull të ri në karrierën e tij, pasi nga sezoni i ardhshëm do të largohet nga Yamaha dhe do t’i bashkohet Honda-s.

Kampioni i botës në MotoGP në vitin 2021 pranon se marrëdhënia me Yamaha-n është tensionuar pas disa sezonesh të vështira. Sipas tij, problemet kryesore lidhen me faktin se ekipi nuk ka arritur të luftojë për pozitat dhe rezultatet që synonte.

Megjithatë, Quartararo thotë se nuk është penduar për vendimin për t’u larguar dhe beson se Honda mund të befasojë me ndryshimet e reja teknike që do të hyjnë në fuqi në vitin 2027.

Kalimi te Honda do të sjellë një sfidë të madhe për francezin, pasi do të duhet të përshtatet me një motor të ri dhe me gomat Pirelli. Ai pranon se nuk pret të luftojë menjëherë për titullin, por synon të përparojë shpejt.

Fabio Quartararo, Yamaha Factory Racing

Quartararo këmbëngul se, pavarësisht viteve të vështira, uria për fitore nuk i është larguar.

“Jam si një qen që nuk ka ngrënë prej tri ditësh. Kur ka ushqimin përpara, do të hidhet drejt tij. Tani për tani, unë jam ai qen. E di se kur të kem një mundësi të vërtetë për të fituar ose për të luftuar në krye, do ta bëj. Ende e kam të njëjtin kafshim”, deklaroi Quartararo.

Francezi shpreson që Honda ta ndërtojë një motor konkurrues dhe të rikthehet sa më shpejt në luftën për fitore në MotoGP.

TË FUNDIT