Verstappen kurorëzon Antonellin: Fenomenal, s’ka nevojë për këshilla
V

Verstappen kurorëzon Antonellin: Fenomenal, s’ka nevojë për këshilla

Fitorja në Spanjë e ka çuar Kimi Antonellin në një epërsi prej 81 pikësh ndaj rivalit të tij më të afërt, shokut të skuadrës George Russell. Me edhe tetë ose nëntë gara të mbetura, piloti i ri i Mercedesit është në një pozicion shumë të favorshëm për titullin.

Pas garës në Madrid, Antonelli ishte në konferencë për shtyp me Max Verstappen dhe Lando Norris. Katër herë kampioni i botës, Verstappen, e vlerësoi maksimalisht italianin.

“Është fantastike. Ai po ecën shumë mirë dhe nuk duhet ta ndërlikojë situatën. Është i sigurt në vetvete, po fiton përvojë dhe po ecën me shpejtësi marramendëse”, tha Verstappen.

Ai shtoi se Antonelli nuk ka nevojë për këshilla, pasi ka një ekip të aftë rreth vetes dhe po bën një punë të jashtëzakonshme, duke mposhtur edhe një shok skuadre me shumë më tepër përvojë.

“Po bën një punë fantastike në moshën vetëm 20-vjeçare. Është vërtet fenomenal dhe ka qenë mbresëlënës që nga gara e parë e sezonit. Ka bërë shumë pak gabime dhe nuk drejton si dikush që është vetëm në vitin e dytë në F1”, përfundoi Verstappen.

TË FUNDIT