Shtatë garues tanë do të jenë këtë fundjavë në Buzet të Kroacisë, në garën e disiplinës malore, e vlefshme për Kampionatin Evropian dhe të FIA CEZ.
Valdet Kaçandolli, Kushtrim Bytyqi, Arjeta Rysha, Bardhyl Canolli, Blerand Hasanaj, Valon Rexhepi e Fatos Krasniqi do të jenë pjesëmarrës të kësaj gare prestigjioze.
Pa e anashkaluar rëndësinë e pjesëmarrjes së secilit nga garuesit tanë, për dy prej tyre Buzeti mund të ketë efekt të veçantë.
Valdet Kaçandolli, i cili sivjet me mjaft sukses mori pjesë në vazhdimësi në garat e Kampionatit Evropian, ka nevojë për një rezultat dhe renditje të mirë, sepse një sukses i tillë do t’i mundësonte pozitën e dytë në plasmanin e përgjithshëm përfundimtar në Grupin 3 për Kampionatin Evropian.
Ndërsa, Kushtrim Bytyqi sivjet pati paraqitje shumë të mira në kuadër të Kampionatit të FIA CEZ dhe një sukses eventual në Buzet do t’ia siguronte pozitën e parë në klasën e tij.
Sigurisht që edhe pesë garuesit tjerë do ta japin maksimumin me synimin për të arritur rezultate sa më të mira, pavarësisht faktit se konkurrenca do të jetë jashtëzakonisht e fortë.
Për Kampionatin Evropian kjo është gara e fundit për këtë vit, ndërsa në FIA CEZ kanë mbetur edhe dy gara.



