Garat e Formula 1 do të jenë më të shkurtra duke filluar nga viti 2027. Në përputhje me ndryshimet e ardhshme të rregullores për njësitë e fuqisë (motorët) lidhur me rrjedhën e karburantit, është miratuar një reduktim i distancës totale të garës nga 305 në 290 kilometra.
Kjo do të thotë që një garë do të jetë dy ose tri xhiro më pak. Ky vendim u njoftua pas takimit të tretë të komisionit të Formula 1 mbi rregulloret e vitit 2026, të mbajtur dje në Londër.
Përveç reduktimit prej 15 kilometrash, u prezantuan edhe ndryshime të tjera të vogla rregullore.
Lidhur me garat që ndërpriten nga shiu ose faktorë të tjerë, u vendos të caktohet një orar specifik përfundimtar për mbylljen e të gjitha aktiviteteve të garës, duke eliminuar njëkohësisht kufirin aktual prej tri orësh për kohëzgjatjen totale të garës (nga fillimi deri në fund, përfshirë ndërprerjet).
Kufiri prej dy orësh për kohën efektive të garimit do të mbetet në fuqi. U arrit marrëveshje për të lejuar më shumë fleksibilitet në zgjatjen e sesioneve të provave të lira nëse ato ndërpriten.
Për më tepër, u ra dakord të eliminohen kërkesat për homologimin e kutisë së shpejtësisë për vitin 2027, duke ruajtur kështu lirinë e zhvillimit për furnizuesit.



