Përparim Dushi i SHAM AK Prizreni D&G është fitues i garës së fundit për këtë vit në disiplinën malore, e para në shtegun e Cvilenit.
“Zhuqa” me Mitsubishi Evo 9, shtegun me gjatësi prej 3.8 kilometrave e kaloi për 01:56.497 dhe 01:156.377 minuta, koha e përgjithshme 03:53.324 minuta.
“Garuam për herë të parë në këtë shteg, që do të thotë se për ne ishte i panjohur. Mund të them se është një shteg atraktiv, i cili në disa pjesë lejon shpejtësi më të madhe, por ka edhe kthesa të rrezikshme, në të cilat duhet pasur kujdes maksimal. Jam i kënaqur me fitoren, ndërsa besoj që në vitin e ardhshëm të jem rregullisht pjesë e garave dhe të arrij rezultate edhe më të mira”, ka thënë Dushi pas fitores.
Në pozitën e dytë, në plasmanin e përgjithshëm, u rendit Valon Rexhepi i Eurogoma Racing Team.
Ai, me Opel Astra OPC, në cak arriti për 02:00.428 dhe 02:00.706 minuta.
Në podium u gjend edhe Valdet Kaçandolli, i cili pas një kohe të gjatë mori pjesë në një garë të Kampionatit të Kosovës.
Anëtari i AMKK Kaçandolli Racing Team pas përfundimit me shumë sukses të pjesëmarrjes në Kampionatin Evropian, ku përfundoi i treti në Grupin 3, në Cvilen u rendit në pozitën e tretë.

Një fitues tjetër i madh i kësaj gare ishte Belkim Fazliu. Anëtari i SHAM AK Prizreni me Renault Megane RS u rendit i katërti në plasmanin e përgjithshëm, por kaq i mjaftoi të sigurojë titullin e kampionit për vitin 2026.
Në konkurrencën ekipore, pozita e parë i takoi SHAM AK Prizreni D&G me 60 pikë, pasuar nga AK Ferizaj (50), Klubi Auto Kosova Ferizaj (27), Eurogoma Racing Team (20), AMKK Kaçandolli (15) dhe Prishtina Racing Team me 12 pikë.
Rezultatet komplete mund t’i shihni në linkun e mëposhtëm:
https://kstiming.com/



