Gara e fundit në disiplinën e auto sllallom e përcaktoi edhe klubin kampion për vitin 2026. Këtë sukses e arriti Klubi Auto Kosova Ferizaj, i themeluar vetëm një vit më parë.
Kryetari i klubit, Arbër Rexhepi, është shprehur i kënaqur me të arriturat e sivjetme.
“Titulli i kampionit në konkurrencën ekipore, për ne është një e arritur e kënaqshme, sidomos nëse e marrim parasysh faktin se jemi themeluar vetëm pak kohë më parë. Në fillim të kampionatit as nuk e kemi menduar këtë sukses. Thjesht, jemi një grup që funksionon shumë mirë, jemi të gjithë shokë dhe auto sportin e kemi pasion”, ka thënë Rexhepi për faqen zyrtare të FASK-ut.
Klubi Auto Kosova Ferizaj duket se është “magnet” për garuesit, pasi numri i tyre rritet vazhdimisht.
“Duke e parë atmosferën e mirë që e kemi, na janë afruar garues me përvojë, por edhe të rinj. Shembulli më i mirë ishte gara e fundit në Sllatinë, në të cilën ne i patëm 14 garues”, ka shtuar kryetari i klubit.

Përveç në auto sllallom, Klubi Auto Kosova Ferizaj gjatë vitit pati paraqitje të mira edhe në disiplinën malore, auto sllallom me vetura elekrike e sidomos në karting sllallom, disiplinë në të cilën kampionatin e përfundoi në pozitën e tretë.
Arbëri shprehet optimist se në vitin e ardhshëm, rezultatet do të jenë edhe më të mira.



