Rafael Nadal merr makinën që nuk mund ta përdorë
R

Rafael Nadal merr makinën që nuk mund ta përdorë

Tenisti i famshëm spanjoll, Rafael Nadal, ka marrë një skulpturë unike të një makine në përmasa reale. E krijuar nga argjila e përzier me dhe të vërtetë të fushave të tenisit, kjo vepër arti është një homazh i përhershëm për karrierën e tij.

Megjithatë, ndryshe nga makinat e tjera luksoze në koleksionin e pasur të spanjollit, kjo ka një veçori të pazakontë: Nadal nuk do të mund ta ndezë, ta ngasë në rrugë apo ta çojë në lavazh, pasi bëhet fjalë për një skulpturë tërësisht prej argjile.

Karroceria me ngjyrën e fushave të tenisit

Ky projekt i veçantë është realizuar si një homazh për tenistin që la gjurmë në historinë e këtij sporti, veçanërisht në fushat me dhe të kuq.

Nadal ka fituar rekord prej 63 turnesh në këtë sipërfaqe dhe ka shkruar historinë në Roland Garros. Pikërisht dheu i kuq u bë frymëzimi kryesor për këtë krijim. Për ta bërë veprën edhe më autentike, inxhinierët dhe skulptorët përzien në argjilën industriale edhe dhe të marrë nga fushat ku Nadal arriti triumfet më të mëdha të karrierës.

Skulptura riprodhon me detaje linjat aerodinamike të modelit më të ri EV4 GT, por me një pamje krejtësisht unike. Karroceria ka ngjyrën karakteristike të dheut të kuq, ndërsa vijat e bardha imitojnë shenjat e një fushe tenisi.

Në sipërfaqen e argjilës janë gdhendur me kujdes momentet më të rëndësishme të karrierës së Nadalit, rekordet e tij në turneun ATP, si dhe autografi i tenistit legjendar.

Një miqësi më shumë se 20-vjeçare

Modelet e makinave në përmasa reale, të punuara me argjilë, janë përdorur prej dekadash në industrinë automobilistike gjatë projektimit të automjeteve të reja. Megjithatë, ato zakonisht mbahen larg publikut dhe shkatërrohen përpara se makina të hyjë në prodhim.

Në këtë rast, makina është krijuar që në fillim si një vepër arti e përhershme. Ajo nuk ka motor elektrik apo bateri, nuk është funksionale dhe nuk do të dalë kurrë në shitje.

Për Nadalin mbetet vetëm një detyrë e rëndësishme: ta ruajë skulpturën në një ambient të mbyllur dhe të kontrolluar. Argjila është shumë e ndjeshme ndaj lagështirës, shiut dhe ndryshimeve të temperaturës, ndaj çdo kontakt me ujin mund ta shkatërrojë përgjithmonë këtë vepër arti.

TË FUNDIT