Miku i Schumacherit pa dorashka: Familja e tij ka marrë një vendim dhe të gjithë duhet ta respektojmë
M

Miku i Schumacherit pa dorashka: Familja e tij ka marrë një vendim dhe të gjithë duhet ta respektojmë

Një bashkëpunëtor dhe mik i afërt shumëvjeçar i Michael Schumacherit ka treguar në një podcast të gazetës gjermane “Bild” pse e respekton plotësisht vendimin e Corinna Schumacherit për të ruajtur privatësinë e ish-kampionit.

Kenig, i cili për dekada ishte pjesë e rrethit të ngushtë të legjendës gjermane, shpjegoi se nuk guxon dhe nuk dëshiron ta pyesë as djalin e tij Mick, as vëllain Ralf për gjendjen e Michaelit.

Ai theksoi se besnikëria ndaj familjes Schumacher është mbi gjithçka dhe se betimi i heshtjes i vendosur nga bashkëshortja e tij, Corinna, duhet respektuar pa asnjë kusht.

“Nuk e pyes as Mickun, as Ralfin!”

“Familja Schumacher që nga fillimi e ka bërë të qartë se detajet nuk duhet të dalin në publik. Këtë dëshirë, mbi të gjitha të Corinnas, e kam respektuar gjithmonë dhe vazhdoj ta respektoj edhe sot. Nuk pyes për gjendjen e Michaelit as Mickun, as Ralfin dhe as askënd tjetër. Edhe nëse do të mësoja diçka, do ta mbaja vetëm për vete. Marrëdhënia ime me të gjithë familjen dhe me vetë Michaelin është shumë e çmuar për mua”, deklaroi Kenig.

Ai shtoi se e kupton dëshirën e publikut për të ditur më shumë rreth gjendjes së ish-kampionit, por vendimi i takon vetëm familjes.

“Për këtë nuk vendos kureshtja e publikut, por familja që po kalon nëpër gjithë këtë situatë. Ata kanë marrë vendimin e tyre dhe unë e konsideroj plotësisht të drejtë. Të gjithë duhet ta pranojmë. Njerëzit duan të dinë si është, sepse e duan. Për vite me radhë, pothuajse çdo dy fundjava ndiqnin Formula 1 dhe dëgjonin himnet italiane e gjermane, sepse Shumi fitonte sërish”, tha ai.

Kenig kujtoi edhe disa momente historike nga fillimi i aventurës së Schumacherit me Ferrarin.

Gjatë testimeve në Estoril, për shkak të detyrimeve kontraktuale me Benettonin, Michaelit fillimisht nuk i lejohej të paraqitej me veshjet e Ferrarit. Vetëm ditën e tretë ose të katërt mori lejen për ta bërë këtë.

“I kërkuam Michaelit që ta regjistronim me kamerë momentin kur do të vishte për herë të parë kostumin e kuq të Ferrarit. Në atë autobus ishim vetëm kameramani Oli, asistenti i kamerës, Michaeli dhe unë. Sot e konsideroj një moment të mrekullueshëm dhe historik, të cilin do të doja ta përjetoja edhe një herë”, tregoi gazetari.

Miqësia e veçantë me Niki Laudan

Përveç Schumacherit, një tjetër person me të cilin Kenig kishte një lidhje shumë të veçantë ishte legjenda e Formula 1, Niki Lauda.

Ai tregoi se njihnin pothuajse të gjitha sekretet e njëri-tjetrit dhe se Lauda, tri herë kampion bote, ishte një mbështetje dhe këshilltar i pazëvendësueshëm për të.

Kenig pranoi se zëri dhe mençuria e Laudës i mungojnë jashtëzakonisht edhe sot.

Në fund, gazetari tregoi edhe se si arriti të gjente qetësinë personale duke hequr dorë nga rrjetet sociale.

Pasi kuptoi se kalonte deri në tetë orë në ditë para ekranit, nga frika se mos humbiste diçka të rëndësishme (sindroma FOMO), vendosi t’i fshinte të gjitha aplikacionet.

Ai e krahasoi këtë vendim me lënien e duhanit, duke theksuar se qetësia që fitoi nuk ka çmim, njësoj si fjala që i kishte dhënë familjes Schumacher.

TË FUNDIT