Kupa e Kosovës është trofeu i dytë më i çmuar në futbollin e Kosovës dhe vlera e saj është shtuar edhe më tepër pas pranimit të Kosovës në UEFA, pasi fituesi merr pjesë edhe në garat evropiane.
Për këtë arsye, dy ndeshjet e sotme gjysmëfinale priten me interesim të madh, kjo edhe për faktin që shorti, në njërin çift i kanë përballë rivalët e vjetër, Prishtinën e Dritën, ndërsa në tjetrin rivalët lokal, Ballkanin e Suharekën.
Prishtina është nikoqire e Dritës, në ndeshjen që do të zhvillohet në stadiumin “Sami Kelmendi” të Lipjanit.
Ndërsa, Suhareka e pret Ballkanin në “Stadiumin e Qytetit” në Therandë.
Të dy ndeshjet pritet të fillojnë nga ora 15:00, ndërsa takimet e kthimit zhvillohen pas dy jave, më 17 prill.



