Në prag të ndeshjes mes Manchester City dhe Aston Villa, e planifikuar për sonte (e mërkurë) në orën 21:15, Pep Guardiola i doli në mbrojtje sulmuesit Erling Haaland nga sulmet e Roy Keane.
Ish-futbollisti i Manchester United theksoi se “në futbollin kombinativ që luan Guardiola ai është shumë i varfër. Mendoj se duhet të përmirësohet në këtë aspekt, sepse është pothuajse si një lojtar i Ligës së Dytë (kategoria e katërt e futbollit profesionist anglez)”.

Përgjigja e Guardiolës nuk vonoi, erdhi gjatë konferencës për shtyp: “Jam i habitur që këto fjalë vijnë nga një ish-lojtar. Unë nuk jam aspak dakord me të. Është sikur të thoshte se unë jam trajner për ligën e dytë apo të tretë. Fatkeqësisht kujtimet zbehen shpejt, ata vetë ndiheshin të lënduar kur kritikoheshin nga ish-lojtarët. Erling Haaland është sulmuesi më i mirë në botë, ai na ndihmoi të fitonim tripletën sezonin e kaluar. Arsyeja pse nuk krijojmë shumë mundësi nuk është për shkak të Erling. Ne kemi nevojë për më shumë prani në një të tretën e fundit të fushës, me më shumë lojtarë. Haaland është i jashtëzakonshëm”, ka thënë Guardiola.



