Një zbulim i jashtëzakonshëm automobilistik vjen nga ishulli Madeira i Portugalisë, ku pas plot 40 vitesh qëndrimi në garazh janë gjetur dy ekzemplarë jashtëzakonisht të ruajtur të Mercedes-Benz W124.
Për këto dy vetura, të cilat duken sikur kanë mbetur në një kapsulë kohe, shitësi kërkon rreth 150.000 euro.
Gjithçka nisi në vitin 1985, kur dy vëllezër porositën dy Mercedes 300 E me motorë identikë benzine, me vëllim 2.962 kubikë.
Njëri ishte me ngjyrë të kuqe Signalrot dhe enterier bezhë, ndërsa tjetri me ngjyrë të kaltër të errët Nautikblau Metallic dhe enterier gri.
Veturat u morën drejtpërdrejt nga fabrika në Gjermani dhe u dërguan në ishullin Madeira. Megjithatë, regjistrimi i tyre nuk u përfundua kurrë.
Arsyeja ishte taksa shumë e lartë doganore që Portugalia aplikonte në atë kohë. Për veturat me motor mbi 2.000 kubikë, taksa shtesë arrinte deri në 110 për qind.
Sipas revistës gjermane “Auto Bild”, detyrimet e importit do të kushtonin më shumë se dyfishi i vlerës së veturave. Prandaj, vëllezërit vendosën t’i linin përkohësisht në garazh.
Më vonë, ata u shpërngulën në Venezuelë, ku edhe ndërruan jetë. Dy Mercedesët mbetën të harruar për dekada, derisa trashëgimtarët i zbuluan së fundmi gjatë procedurave të trashëgimisë.
Klima e butë e Madeirës, me temperatura dimërore prej 17–18 gradësh dhe verore prej 24–25 gradësh, ndihmoi në ruajtjen e jashtëzakonshme të veturave.
Përveç një shtrese të trashë pluhuri dhe disa dëmtimeve të vogla në mbështjellëset e dyerve të shoferit, të dy Mercedesët kanë mbetur pothuajse në gjendje fabrike.
Ngjyra origjinale, detajet prej druri në kabinë, aroma karakteristike e enterierit të ri dhe madje edhe gomat origjinale të vitit 1985 i kanë mbijetuar katër dekadave.
Pas kthimit në Gjermani, veturave iu ndërruan vaji dhe filtrat. Të dyja kaluan pa probleme kontrollin teknik TÜV.
Kilometrazhi është pothuajse i pabesueshëm:
Mercedes 300 E i kuq: vetëm 2.565 kilometra.
Mercedes 300 E i kaltër: vetëm 3.825 kilometra.
)
Me të dy veturat janë ruajtur edhe targat origjinale të eksportit nga vitet e tetëdhjeta, duke ua rritur edhe më shumë vlerën historike dhe koleksionuese.
Edhe pse Mercedes 300 E dhe seria W124 nuk janë modele të rralla në Evropë, ekzemplarë në këtë gjendje, me dokumentacion të paprekur dhe kilometrazh kaq të ulët, janë jashtëzakonisht të rrallë.
Kompania Jessen Classic Cars i ka nxjerrë në shitje me çmim individual prej 74.890 eurosh, ndërsa dëshiron t’i shesë të dyja së bashku për afro 150.000 euro.
)
Mbetet të shihet se si do të përfundojë shitja, por tregu i veturave klasike po tregon interes të madh për ekzemplarë të tillë.
Kujtojmë se së fundmi një Yugo i vitit 1986, me vetëm 200 kilometra të kaluara, u shit në SHBA për 50.000 dollarë, ose rreth 45.000 euro.
Tash mbetet të shihet se çfarë çmimi do të arrijnë këta dy Mercedesë legjendarë!



