Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) ka bërë të ditur se Shqipëria është vendi i radhës që i bashkohet fushatës fushatës së Bashkuar Kundër Abuzimit Online (UAOA). Ceremonia e marrëveshjes u zhvillua në Tiranë mes presidentit të FIA-s, Mohammed Ben Sulayem dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Në këtë mënyrë, Qeveria shqiptare i bashkohet një rrjeti në rritje të qeverive, federatave ndërkombëtare sportive dhe OJQ-ve që janë bashkuar për të luftuar abuzimin online në botën e sportit.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, Presidenti i FIA-s, Mohammed Ben Sulayem, tha: “Ne e vlerësojmë thellësisht mbështetjen e kryeministrit Edi Rama dhe Qeverisë shqiptare, derisa vazhdojmë misionin tonë të rëndësishëm për të larguar abuzimin online në sport”.

Ndërsa, kryeministri Rama tha se shqiptarët janë të përkushtuar për t’i dhënë fund çdo lloj abuzimi.
“Si komb, ne jemi të përkushtuar t’i japim fund abuzimit online dhe jemi krenarë që jemi partnerë me FIA-n, një organizatë që ndan këto vlera dhe po ndërmerr hapa për të luftuar një çështje në rritje”, është shprehur Rama.
Qeveria e Shqipërisë dhe FIA ftojnë federatat dhe palët e interesuara të pasionuara për ruajtjen e integritetit të ekosistemit sportiv që të bashkohen në këtë fushatë.



