Arsenal – Bayern Munich, Arteta me shumë besim te skuadra e tij
A

Arsenal – Bayern Munich, Arteta me shumë besim te skuadra e tij

Formën e mirë që po e kalon në Ligën Premiere, Arsenali synon ta vazhdojë edhe sonte në Ligën e Kampionëve, ku në kuadër të çerekfinales takohet me gjigantin evropian Bayern Munich.

Trajneri i skuadrës angleze, Mikel Arteta, nuk i ka kursyer elozhet për kolegun Thomas Tuchel e më tej u shpreh se duhet të luajnë lojën e tyre, për të fituar, teksa shtoi se Harry Kane, ndryshe nga çfarë konsiderohet nuk është rreziku i vetëm në radhët e bavarezëve.

“Po e shijojmë shumë momentin. Jemi aty ku do të donim të ishim, në kampionat dhe Champions League. Do të sfidojmë një nga klubet më të suksesshme në Evropë, por mezi presim të përpiqemi të kapërcejmë këtë lloj vështirësie. Bayern është një skuadër e madhe. Jam një admirues i madh i Tuchel dhe i mënyrës se si luajnë skuadrat e tij. Kam mësuar shumë prej tij”, ka thënë Arteta.

“Jemi përgatitur shumë mirë. Nëse arrijmë të luajmë futbollin tonë, atëherë do të kemi shumë mundësi për të fituar. Harry Kane është i jashtëzakonshëm, por nuk është rreziku i vetëm nga Bayerni. Pres një stadium plot dhe shumë pasion e emocione, pasi kemi 15 vite që e presim një mbrëmje të tillë”, tha tekniku spanjoll i kryesuesve të Premier League.

TË FUNDIT