Trajneri i Realit të Madridit, Carlo Ancelotti, ka folur për mediat spanjolle pas fitores ndaj Mallorcas. Italiani e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm suksesin e së shtunës duke iu referuar llogarive për titullin. Dëshirës së tij për ta parë këtë ndeshje si një finale, skuadra ia ka kthyer në fushë me një paraqitje të mirë, veçanërisht në pjesën e dytë kur ka ardhur dhe goli i fitores së shënuar nga Tchuameni.
“Gjithçka ka rrjedhur siç e parashikonim, një ndeshje e vështirë, kundër një rivali që ta vështirëson lojën. Në pjesën e parë nuk është se kemi bërë ndonjë paraqitje kushedi se çfarë. Në pjesën e dytë kemi luajtur shumë mirë, kemi dominuar dhe e kemi merituar fitoren”, ka thënë Ancelotti.

“Në fakt mendoja se Militao do të luante më shumë minuta në këtë ndeshje. Por duke qenë se rezultati ishte i ngushtë nuk mund të rrezikoja shumë me Muriqin. Ai është një kafshë që ia bën të vështirë çdo mbrojtësi. Por jam i kënaqur që e kemi neutralizuar rrezikun e tij”, është shprehur trajneri italian.
“Tani që fituam kundër Mallorcas mund të mendojmë më me qetësi për Cityn. Çështje fizike? Unë nuk mendoj se duke vrapuar më shumë se City mund ta mposhtësh këtë skuadër. Për të fituar ndaj tyre duhet diçka më shumë. Besoj se më shumë është çështje qasje ndaj ndeshjes”, ka shtuar numri një i bankinës së Realit.



