Gjyqtari kryesor i duelit të unifikimit të titujve kampionë bote në peshën e rëndë mes boksierëve Tyson Fury dhe Oleksandr Uysk duhet të jetë “shumë i fortë”.
Këtë gjë kërkon promovuesi i njohur i boksit Frank Warren, njëkohësisht edhe menaxher i boksierit britanik.
Fury do të luftojë me Usyk për titujt WBC, WBA, WBO dhe IBF, më 18 maj në Riad të Arabisë Saudite. Warren është i shqetësuar nga dueli i fundit i Usyk.
Kur luftoi me Daniel Dubois, të cilin Warren gjithashtu përfaqëson, Usyk iu dha mjaft kohë për t’u rikuperuar nga ajo që gjyqtari Luis Pabon e konsideroi një goditje të ulët.

Promotori mbetet i bindur se grushti i Dubois ishte i ligjshëm, duke këmbëngulur se brezi i Usyk ishte shumë i lartë dhe thirrja e arbitrit ishte e padrejtë. Ndaj, ai nuk dëshiron të shohë një përsëritje të atij incidenti kundër Fury. “Ne nuk duam polemika. Ne duam dikë që të gjithë e respektojnë dhe do të jetë shumë i fortë“, tha Warren.
“Gjyqtari i fundit ishte vetëm një shaka. E gjithë kjo ishte krejtësisht qesharake. Jam i sigurt se ata do të përdorin çdo truk dhe ky është boksi. Kjo është ajo që do të ndodhë dhe Tyson është një profesionist me përvojë, një luftëtar me përvojë dhe ai e di se çfarë duhet të bëjë”, tha Warren.



