Mesfushori i Interit, Hakan Calhanoglu ka vendosur një rekord interesant në Serie A. “Jam i lumtur që kam thyer një tjetër rekord”, ka thënë ai.
Me penalltinë e shënuar ndaj Cagliarit, Calhanoglu u tregua edhe një herë i pagabueshëm nga pika e bardhë.
Mesfushori turk parakaloi Suazo dhe u bë rekordmeni i Serie A në mijëvjeçarin e ri, me 11 penallti të konvertuara në gol në po aq të goditura prej tij.
Turku ka festuar arritjen me një postim në profilin e tij në Instagram. “Sigurisht që kjo nuk do të ishte e mundur pa shokët e mi. Së bashku drejt shumë golave të tjerë”, ka shkruar mesfushori i Interit, i cili u bë edhe mesfushori i dytë zikaltër, i aftë për kuota dyshifrore goli në një sezon të Serie A, në epokën e tri pikëve për një fitore, pas Ivan Perisic (11 gola në 2016/17 dhe 2017/18).

Një rekord evropian është gjithashtu i arritshëm: me 17 penallti të ekzekutuara të gjitha saktë (me zero gabime) janë Diego Tristan (La Liga), Fabinho (Ligue 1) dhe Fritz Walter (në kampionatin gjerman të viteve 1930-1950).



