Shevchenko me nismë unike për gjyqtarët
S

Shevchenko me nismë unike për gjyqtarët

Presidenti i Federatës së Futbollit në Ukrainë, Andrey Shevchenko do të ndërmarrë një nismë ndoshta unikale në botën e futbollit. Ish-futbollisti i famshëm i Milanit, tashmë në krye të futbollit ukrainas, kërkon të vërtetojë si dhe të garantojë ndershmërinë e gjyqtarëve në kampionat, për të siguruar një garë të drejtë.

Shevchenko, do t’i vendosë ata para makinerisë së të vërtetës, një praktikë e mirënjohur në mjekësinë ligjore. Makina e së vërtetës, është ajo që mat presionin e gjakut, frymëmarrjen si dhe djersitjen për të vërtetuar të vërtetën e personit në fjalë.

Kështu, Federata Ukrainase synon që me anë të kësaj nisme të përmirësojë standardin, të pengojë  korrupsionin, rryshfetet si dhe trukimin e ndeshjeve.

“Ne mendojmë se makina e së vërtetës është një mundësi për të marrë më shumë informacion dhe të kuptojmë më mirë mbi gjyqtarët me të cilët punojmë dhe ata me të cilët nuk mund të punojmë. Do ta nisim këtë punë nga e para dhe ata që nuk e kalojnë testin nuk do të jenë më pjesë e futbollit në Ukrainë”, u shpreh Shvechenko.

TË FUNDIT