Ish-mbrojtësi i famshëm italian, Fabio Cannavaro, ishte i ftuari special i FSHF-së në kursin për trajnerë “UEFA PRO”.
Kampioni i botës me Kombëtaren italiane të futbollit dhe fituesi i Topit të Artë, zbarkoi në Shqipëri këtë të enjte dhe mbajti një leksion të hapur për të gjithë pjesëmarrësit në kursin “UEFA PRO”, me temën “Nga futbollist në trajner, nga sukseset në fushë në kampionatet e fituara në pankinë”.
Pas përfundimit të leksionit, Fabio Cannavaro dha një prononcim për fshf.org, ku vuri në dukje zhvillimin e Federatës Shqiptare të Futbollit nën drejtimin e Presidentit Armand Duka.

“Rezultatet flasin qartë. Federata po investon shumë, në infrastrukturë, te trajnerët, te lojtarët dhe kjo është një gjë shumë pozitive. Sigurisht që linja udhëheqëse e Presidentit është një linjë moderne çka i jep shpresë vendin tuaj”, tha fillimisht Fabio Cannavaro, i cili vlerësoi edhe Kombëtaren shqiptare të futbollit.
“Kombëtarja shqiptare që është nën drejtimin e një trajneri shumë të mirë më pëlqen shumë. Disa prej lojtarëve kanë eksperiencë ndërkombëtare dhe në gjithë Evropën. Luajnë futboll të bukur dhe me shumë pasion dhe me siguri populli është krenar me këta lojtarë”, theksoi ish-mbrojtësi i famshëm italian.



