Në fundjavë nisin ndeshjet gjysmëfinale të play-offit në Prince Caffe Superligën e basketbollit.
Trepça. Sigal Prishtina, Peja dhe Golden Eagle Ylli synojnë titullin e më të mirit për këtë edicion.
Peja dhe Golden Eagle Ylli kishin pikë të barabarta pas 28 xhirosh, por pejanët ishin më të mirë në ndeshjet direkte. Dy skuadrat verdhezi kishin nga 19 fitore e nëntë humbje.
Pejanët do të përpiqen të mbrojnë titullin e fituar edicionin e kaluar, derisa therandasit ta rikthejnë, pasi ishin shpallur kampionë në dy edicionet paraprake. Ylli në çerekfinale të play-offit kishte mundur Bashkimin 2:0 për të depërtuar në gjysmëfinale, ku pritet superpërballje.

Gjysmëfinalja tjetër pritet të jetë edhe më e zjarrtë mes Trepçës dhe Sigal Prishtinës. Mitrovicasit e përfunduan edicionin në vendin e parë me 25 fitore e tri humbje, ndërsa bardhekaltrit u renditën në vendin e katërt me 16 fitore e 12 humbje, kurse në çerekfinale eliminuan Vëllaznimin 2:1. ‘Xehetarët’ kanë fituar Kupën, Superkupën dhe Ligën Unike, duke e kërkuar trofeun e katërt për këtë edicion, kurse prishtinasit së fundi fituan në Ligën Ballkanike, duke kërkuar titullin të rikthehet në kryeqytet.
Në katër sfidat e Prince Caffe Superligës, në këtë edicion ka fituar Trepça, ashtu si edhe në finale të Kupës, Superkupës dhe gjysmëfinale të Ligës Unike. Skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finale.
Gjysmëfinalet
E shtunë:
17:15 Peja – Golden Eagle Ylli.
E diel:
19:00 Trepça – Sigal Prishtina.



