Kevin De Bruyne është “truri” i mesfushës së Manchester Cityt po thuaj tash e tetë vjet, me 32-vjeçarin, i cili mund të konsiderohet lehtësisht si një prej “legjendave” të klubit, për të mos thënë lojtari më i mirë në historinë e klubit ku ka fituar plot 17 trofe.
Mirëpo, duket se “aventura” e tij, në “Etihad” po shkon drejt fundit, teksa sipas raportimeve të fundit të mediave, kryesisht atyre britanike, ai nuk ka dhënë ende shenja se kërkon të rinovojë kontratën me “Qytetarët” e për këtë arsye këta të fundit janë të gatshëm të heqin dorë nga “legjenda” e tyre, mirëpo vetëm me një çmim.
Bordi i “gjigantëve” anglezë, nuk pranon më pak se 100 milionë euro për kartonin e 32-vjeçarit, i cili ende mund të japë shumë në fushën e blertë.

De Bruyne u ble për 76 milionë euro në verën e vitit 2015 nga Wolfsburg.
Ndërkaq, përsa i përket statistikave dhe trofeve, te “Qytetarët”, De Bruyne ka zhvilluar 360 ndeshje, ka shënuar 97 gola dhe ka pasur 155 asistime. Përsa i përket trofeve, te Manchester City ylli belg ka fituar 5 herë trofeun e Premier League, 5 herë trofeun e EFL Cup, nga 2 herë trofetë e FA Cup dhe Community Shield, 1 UEFA Champions League, 1 Superkupë Evrope, si dhe një Botëror të Klubeve.
Sipas mediave, për shërbimet e tij janë duke u interesuar klubet arabe.



