Pas 11-vitesh dhe gjashtë titujve botërorë të arritur me Hondën, Marc Marquez vendosi të ndryshonte skuadër këtë sezon duke iu bashkuar italianëve të Ducatit. Në një intervistë të fundit, spanjolli zbulon edhe arsyen e kësaj lëvizjeje duke theksuar se këtë vendim e mori në të mirë të shëndetit të tij mendor.
31-vjeçari, u shpreh se nuk ishte e lehtë të braktiste mekanikët dhe bashkëpunëtorët e tij, por shtoi se tashmë ndjehet i lumtur kur zbret në pistë.
“Ishte një vendim shumë i vështirë. Unë nuk e dëgjova zemrën time, thjesht mendova për atë që ishte më e mira për të ardhmen time. Mendova vetëm për faktin që doja të isha një ‘kalorës’ në MotoGP për shumë vite të tjera.
“Repsol Honda ishte jeta ime, karriera ime, ishte shumë e vështirë të largohesha nga mekanikët e mi, teknikët e mi dhe sponsorët e mi, por u shpjegova se nëse do të qëndroja me Hondan do të prekej shëndeti im mendor”.

“Tani po argëtohem. Arsyeja kryesore që mora këtë vendim ishte të rizbuloja nëse isha ende mjaftueshëm konkurrues. I dhashë një përgjigje vetes, jam konkurrues. Natyrisht, një tjetër gjë është të jesh edhe më konkurrues për të synuar titullin në MotoGP. Aktualisht mund të luftoj për pesë pozitat e para me më të mirët dhe kjo më bën të lumtur”, u shpreh Marquez.



