Bekim Kovaçi rikthehet në shtigjet e garave
B

Bekim Kovaçi rikthehet në shtigjet e garave

Kampionati i Kosovës në automobilizëm sivjet do ta ketë edhe një garues të ri (të vjetër). Në shtigjet e garave do të rikthehet Bekim Kovaçi, i cili ka munguar tash e nëntë vjet, por që ka një karrierë të pasur në auto sport.

“Auto sporti tek unë ka ngjallë interes shumë herët, pasi e kam edhe traditë familjare. Babai im, Nexhat Kovaçi, i cili ka kontribuar për shumë vjet në automobilizmin kosovar, është më i merituari që unë kam filluar të merrem me auto sport. Më ka përkrahur vazhdimisht dhe i jam mirënjohës përjetësisht. Fillimisht, me karting kam filluar që nga mosha 7-8 vjeçare. Kam marrë pjesë në shumë gara të ish-Jugosllavisë, ku nuk kanë munguar as rezultatet e mira, pasi në disa raste jam gjendur në podium, duke u renditur i dyti ose i treti”, kujton Kovaçi fillet e karrierës së tij.

Pas luftës, ai ishte garues në disiplinat malore e rrethore. “Kam garuar në kampionatin vendor, por edhe në vendet ballkanike e po ashtu edhe në Buzet të Kroacisë, në kuadër të Kampionatit Evropian”, ka shtuar anëtari i SHAM AK Prizreni D&G.

Tashmë, ai ka vendosur të kthehet në gara dhe shpreson që rikthimi të jetë i suksesshëm.

“Duke iu falënderuar sponsorëve ‘Liri’ dhe Abi Center’, kam vendosur që pas nëntë vjetësh të rikthehem. Do të garoj në Grupin 5, me veturën Honda Type R dhe shpresoj të kem  rezultate të mira. Vetura është duke u brenduar dhe pothuaj e gatshme për gara”, është shprehur Kovaçi.

 

TË FUNDIT