Prishtina 01 fituese e Kupës së Kosovës në futsall
P

Prishtina 01 fituese e Kupës së Kosovës në futsall

Prishtina 01 është fituese e Kupës së Kosovës në futsall për herë të tretë. Në ndeshjen finale,  e cila u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, skuadra kryeqytetase arriti të fitojë ndaj Liqenit nga Drenasi, pas një sfide mjaft rivalizuese dhe interesante, me rezultat 3:2. Fituesi u përcaktua pas vazhdimeve, ngase ndeshja në kohën e rregullt u mbyll baras, 2:2.

Ndeshja finale u karakterizua nga një rivalitet i theksuar dhe një shfaqje e bukur sportive nga të dyja skuadrat. Prishtina 01 e nisi ndeshjen në mënyrë më të mirë, duke kaluar në epërsi me golin e Arif Limanit.

Drenasi tregoi karakter dhe përkushtim duke e barazuar shpejt rezultatin me gol të Dardan Topillës nga penalltia. Prishtinasit rikthyen epërsinë me anë të Fitim Krasniqit, por përsëri ishte Liqeni që vendosi baraspeshën me një gol të Camilo Sanchez.

Lufta për trofeun u zhvillua edhe në vazhdimet dy herë nga 5 minuta, ku dëshira dhe pasioni për fitore ishte i madh nga të dyja palët.

Megjithatë, kur të gjithë menduan se fituesin e kësaj finaleje do ta përcaktonin penalltitë, në 10 sekondat e fundit pas një këndore më së miri afër portës u gjend Yll Mazreku, i cili shënoi golin e fitores për Prishtinën 01, duke bërë që trofeu të mbetet përsëri në kryeqytet.

Në fund, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i dorëzoi trofeun skuadrës së Prishtina 01.

Përcaktuesi i kësaj finaleje, Yll Mazreku pas ndeshjes nuk arriti t’i fshehë emocionet e kësaj fitoreje. “Është ndjenjë e mirë të shënosh golin vendimtar dhe atë në frymën e fundit të ndeshjes. Mendoj se gjatë tërë kësaj finaleje kemi qenë më të mirë dhe e kemi kërkuar më shumë fitoren se sa kundërshtari. Dhe në fund, mundi dhe përkushtimi na u shpagua”, ka thënë Mazreku.

TË FUNDIT