Distria Krasniqi – Mbretëresha e Evropës
D

Distria Krasniqi – Mbretëresha e Evropës

Distria Krasniqi është shpallur kampione e Evropës në xhud në Evropianin që po zhvillohet, në Zagreb, të Kroacisë.

Krasniqi garoi në kategorinë deri 52 kilogramë dhe nuk lejoi befasi, teksa gjithçka nisi me një fitore bindëse ndaj ukrainases Ana Borodina, ku arriti të realizonte, një “uazari” të shpejtë, ndërsa nuk vonoi dhe siguroi “Ippon” me mbërthim. Edhe më bindëse xhudistja kosovare ishte në luftën e dytë. Për më pak se një minutë e eliminoi kroaten Ana Viktorija Puljiz.

Në gjysmëfinale, Distria iu revanshua spanjolles Ariane Toro Soler për një disfatë të mëhershme. Kishte vazhdimisht iniciativën dhe kërkonte hedhjen, teksa realizoi “uazari”, ndërsa lufta përfundoi kur Soler pësoi dënimin e tretë.

Ndërsa në finale “ylli” i Kosovës, mposhti italianen Odete Giufrida me “uazari”, në kohën shtesë, me sportisten nga “Apeninet”, që nuk e rrezikoi asnjëherë xhudisten “dardane”.

Ndërkohë, garuesja tjetër kosovare, Flaka Loxha u eliminua në rrethin e dytë, pasi të parin e kaloi pa luftë, pasi u mposht nga kroatja Tihea Topolovec.

TË FUNDIT